Friday, December 2, 2011

Mos diskrimino!


Të gjitha të drejtat dhe liritë u takojnë të gjithë njerëzve, pa dallim të përkatësisë dhe prejardhjes së tyre.

DEKLARATA E PËRGJITHSHME PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 2
Të gjitha të drejtat dhe liritë e paraqitura në këtë Deklaratë u takojnë të gjithë njerëzve, pa patur parasysh dallimet e tyre, siç janë: raca, ngjyra, gjinia, gjuha, feja, bindja politike dhe bindje të tjera, prejardhje kombëtare dhe shoqërore, pronësi, lindje, apo status tjetër.
Pastaj, nuk do të merret parasysh statusi politik, juridik apo ndërkombëtar i vendit apo territorit të cilit i takon personi, pa dallim se a është vendi i pavarur, nën mbikëqyrje, pa pushtet vetëqeverisës apo në çfarëdo forme tjetër të kufizimit të sovranitetit të tij.

Republika e Maqedonisë vuan nga diskriminimi në të gjitha nivelet, duke e përfshirë edhe diskriminimin e institucionalizuar në bazë etnike, fetare, gjinore, të moshës, sociale dhe të përkatësisë politike dhe orientimit seksual. Thellësisht i rrënjosur, diskriminimi është pjesë e jetës sociale. Politikat qeveritare në nivel vendor dhe kombëtar nuk dallojnë nga maniret dhe praktikat diskriminuese gjerësisht të pranuara. Aq më shumë, ato madje inkurajohen në mënyra të ndryshme. Edhe pse antidiskriminimi është i rregulluar me ligj, vetë ligji është diskriminues ndaj grupeve të caktuara në shoqëri, sidomos ndaj homoseksualëve (LGBT). Qeveria i shfrytëzon paragjykimet e përhapura ndaj homoseksualëve dhe e mënjanoi këtë kategori nga Ligji për mbrojtje nga diskriminimi para dy vjet, praktikisht duke i vënë homoseksualët në vend jashtë ligjit.
Fushat në të cilat praktikohet diskriminimi nuk përfundojnë këtu. Madje, edhe pse një kategori e caktuar është formalisht e mbrojtur me ligjin në fjalë, pushteti shtetëror dhe ai vendor funksionojnë në mënyrë të tillë që dekurajon çdo lloj reaksioni të qytetarëve kundër diskriminimit.
Organizatat qytetare, avokati i popullit dhe organizata dhe institucione ndërkombëtare relevante në një sërë rastesh lajmërojnë për politikat dhe praktikat diskriminuese, pa sukses. Diskriminimi vazhdon. Ai është mjet të cilin e përdorin elitat politike në lojërat e tyre të pushtetit. Përkundër përcaktimeve kushtetuese dhe legjislative, Republika e Maqedonisë mbetet një vend thellësisht i ndarë në shumë aspekte. Vend ku diskriminimi i ngushton mundësitë për mendim të lirë dhe respekt për të drejtat e njeriut.

VEPRO!
Sot, të bëjmë thirrje të shpallësh DITË PA DISKRIMINIM në shtëpinë tënde, në rrugën tënde, në vendin e punës, kudo që të shkosh. Lufto kundër paragjykimeve tua personale sot dhe thuaju të tjerëve ta bëjnë këtë. Kur do ta shohësh se sa ndjenjë e mirë është kjo, do të dëshirosh të shpallësh EDHE NJË DITË PA DISKRIMINIM.  Pastaj, EDHE NJË DITË PA DISKRIMINIM... Dhe, kështu me radhë... bëhu i ndryshëm dhe bëhu krenar me këtë. Ti nuk je një copë malli fabrike, ti je një qenie e tërë njerëzore, njëjtë sikur shtatë miliardë njerëzit e tjerë në Tokë. Të gjithë ata kanë të drejtë të jenë të ndryshëm. Mos diskrimino!
NDIZE NJË QIRI para institucionit ku herën e fundit ke ndjerë diskriminim. Fotografoje këtë dhe na e dërgo. Shkruaj dhe një storje për atë se çfarë diskriminimi përjetove. Ishe dëshmitar apo ishe objekt i diskriminimit në shkollën vendore, në kompani, komunë, parti politike apo diku tjetër? Të inkurajojmë të shkruash një letër deri te udhëheqësi i atij institucioni, tregoje storjen me fjalë të tua dhe dërgoje. Dërgona edhe ne një kopje. Me kënaqësi do ta publikojmë storjen tënde.
Merr një copë tekstil dhe vëri një vijë fjalës DISKRIMINIM. Le të jetë ky FLAMURI YT KUNDËR DISKRIMINIMIT. Valoje përreth.
Dikush të quajti tradhtar sepse shoqërohesh me të tjerët? Të jesh i bindur: pikërisht ai person e tradhtoi qenien njerëzore.

Xhabir Deralla
Kryetar i Civil – Qendra për Liri

1 comment: